Nga intervista ne Drive Time Berna & Ari ne Drive Time Radio Prishtina 89.8 FM me psikologun Ilir Havolli
33 vetëvrasje kanë ndodhur vitin e kaluar në Kosovë
Në gjithë botën sot shënohet Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjes, një fenomen i cili vazhdon të mbetet shqetësues edhe në Kosovë.
Vetëm vitin e kaluar, në Kosovë janë regjistruar 119 tentativa të vetëvrasjes, ka bërë të ditur Ilir Havolli, kryetar i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës.
I ftuar në emision “Drive Time” në “Radio Prishtina”, Havolli ka bërë të ditur se vitin e kaluar në Kosovë janë kryer 33 vetëvrasje, transmeton Zeri.info.
Ai ka treguar edhe faktorët që mund të çojnë një person drejt vetëvrasjes, ndërsa ka thënë se izolimi për shkak të pandemisë ka rënduar edhe më shumë gjendjen.
“Janë një mori faktorësh që situata e një personi t’i përkeqësohet, shumica prej tyre janë duke përjetuar depresion klinik apo çrregullime mendore. Gjatë kësaj kohe të pandemisë ka qenë evident ky rrezik sepse një nga faktorët që e shtynë një person të kryejë vetëvrasje është edhe izolimi social”, ka thënë Havolli në “Radio Prishtina”.
Ai ka përmendur edhe faktorët tjerë siç janë; depresioni, abuzimi me alkool apo substanca narkotike, duke theksuar se kohëve të fundit në Kosovë është rritur numri i përdoruesve të substancave narkotike. /Zëri